Redaksi mikro dhe media me një person
Audienca mediatike në Maqedoninë e Veriut po zhvendoset në median online, ndërsa burimet, paratë dhe njerëzit vijojnë të mbeten në median tradicionale, në veçanti në stacionet televizione kryesore me koncesione kombëtare.
Një vrojtim nga Eurostat i kryer në vitin 2021 tregoi se 72% e maqedonasve të veriut e marrin informacionin nga media online. Ndërkohë, në tetor 2023, një vrojtim i Eurometer, nga organizata kërkimore Eurotink me bazë në Shkup, tregoi se mbi 56% e përdorin internetin si një burim për lajmet politike.
Në 2016, vetëm 30% e të anketuarve thanë se burimi i tyre i parë për lajme politike ishte interneti. Në 2022 dhe 2023 kjo përqindje u rrit në 40%, pothuajse 50% në një vrojtim. Në të njëjtën kohë, ndikimi i televizionit si burimi kryesor i informimit ra nga pothuajse 90% në 70%, ndërsa përqindjet e radiove dhe të gazetave si burime kryesore janë poshtë nivelit të marzhit të gabimit statistikor.
Kjo e dhënë konfirmon rezultatet e vrojtimeve të mëparshme kombëtare të kryera nga Instituti Republikan Ndërkombëtar, IRI, i cili tregoi se ndikimi i internetit në furnizimin e qytetarëve me informacion mbi zhvillimet e përgjithshme dhe ato politike po rritej në mënyrë konstante. Përmbajtja online po bëhet jo vetëm një burim i rëndësishëm, por burimi kryesor.
Nga ana tjetër, të dhënat financiare të vitit 2021 dhe 2022 tregojnë se rritja në ndikimin e medias online nuk po sjell asnjë rritje në kapacitetet e tyre financiare. Kur vjen puna te paratë, biznesi i medias vijon të rrotullohet përreth televizionit dhe, pjesërisht, përreth gazetave.
Të ardhurat totale për 13 faqet e internetit më me ndikim në vend në vitin 2021 arritën në vetëm $1.9 milionë. Për vitin 2022, ato nuk arritën as në $1.7 milionë. Sa për krahasim, televizioni më pak i suksesshëm kombëtar pati të ardhura prej rreth $2.2 milionë dhe më i suksesshmi i kishte më shumë se $7 milionë. Gazeta me qarkullim më të lartë pati të ardhura prej rreth $1.6 milionë në 2022 – dhe pothuajse po kaq shumë sa këto portalet e kombinuara.
Një vlerësim mbështetur te të dhënat e siguruara nga agjencitë më të mëdha të reklamimit në vend, të cilat kontrollojnë më shumë se 90% të tregut të reklamave, tregojnë se deri në 60% e parave të reklamave shkojnë te televizionet, 20% te mediat online, 15% te reklamat në rrugë dhe 5% të mbetura ndahen mes gazetave dhe radiove. Kjo analizë tregu u publikua në vitin 2020 dhe u krye nga instituti RESIS, një organizatë maqedonase për përkim social, e cila trajtoi impaktin e medias së re mbi opinionin publik.
Reklama politike si indikator i tregut mediatik online
Është e vështirë të vlerësosh saktë volumin e biznesit të lajmeve në internet në vend, për shkak se nuk ka një regjistër apo databazë për renditjen e faqeve të internetit që publikojnë lajme. Një mundësi e rrallë për të pasur një tablo më të gjerë të kësaj skene ofrohet gjatë cikleve zgjedhore, për shkak se media online aplikon në këto raste te Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për t’u regjistruar për reklama politike dhe për të marrë para nga buxheti i shtetit për këtë qëllim.
Eksperiencat e dy cikleve të mëparshme zgjedhore, në 2020 dhe 2021, treguan se mes 175 dhe 235 portale dorëzuan aplikime, por më pak se gjysma e tyre ishin media me skuadra redaksionale që publikojnë lajme dhe informacione të ndryshme. Një numër i madh nuk kishte ndonjë gjurmë, disa kishin pronësi të fshehtë dhe të tjerat ishin faqe interneti të interesit të veçantë, agregatorë lajmesh, e madje edhe faqe interneti që hostojnë kompani dhe adresarë biznesi.
Zgjedhjet kanë zbuluar gjithashtu tendencën drejt krijimit të “mini-grupeve”, në të cilat, një person i vetëm apo kompani regjistron disa faqe interneti në mënyrë që të jetë në gjendje të fitojë më shumë para nga zgjedhjet. Tavani ligjor është 15,000 € ($15,800) për media, kështu që ata përpiqen të dyfishojnë, e madje edhe të trefishojnë, fitimet në zgjedhje duke operuar disa adresa.
Edhe pse këto të dhëna janë të paplota dhe të pamjaftueshme, sërish ato tregojnë përhapjen e burimeve në hapësirën online, si e kundërt kjo me përqendrimin që vërehet në median tradicionale.
Nuk ka gazetarë në redaksinë online
Një tregues tjetër i fragmentarizimit të skenës mediatike në internet janë të dhënat mbi numrin e të punësuarve në këto media. Të dhënat zyrtare të kompanive që publikojnë tre portalet më me ndikim, me numrin më të lartë të ndjekësve në mediat sociale, tregojnë se këta të tre nuk kanë as edhe një punëtor të vetëm të regjistruar. Në shumë të tjera, numri i stafit është një shifror.
Një përjashtim i rrallë janë zyrat redaksionale të Kurir dhe Republika, në të cilat, kapital hungarez hyri në vitin 2018. Këta kanë 17 dhe 19 punëtorë respektivisht, d.m.th,m ata operojnë një redaksi të vogël. Por kjo vjen me një çmim. Kompanitë që operojnë këto portale janë duke përjetuar humbje financiare të konsiderueshme.
Në tërësi, skena e lajmeve online duket se është e reduktuar në “mikro-redaksi” ose media “me një njeri.” Edhe më të mëdhatë prej tyre as nuk i afrohen burimeve të nevojshme për të prodhuar përmbajtje mediatike të cilësisë së lartë, siç kërkohet kundejt praktikës së ripublikimit të njoftimeve për shtyp dhe lajmeve të agjencive.
Ky mjedis ekzistues, pa dashje, e shtron rrugën për individë oportunistë dhe të atashuar politik për të infiltruar tregun e medias, armatosur me burime të pakta dhe axhendë të fuqishme për të ndikuar opinionin publik përmes kanaleve të propagandës dhe gazetarisë nënstandarde.
Lulëzimi i mediave të shumta e me burime të pakta në internet e përkeqëson situatën. Në vend që të japin një spektër të larmishëm zërash, ky bollëk, në mënyrë paradoksale, sjell një kakofoni në lajmet e homogjenizuara. Mungesa në raportimet origjinale bëhet e dukshme për shkak se këto media, të kufizuara nga burimet, e gjejnë veten në rrethin e riqarkullimit të lajmeve identike.
Ky nuk është vetëm një kërcënim ndaj thelbit të integritetit gazetaresk, por përbën edhe rrezik domethënës ndaj idealit demokratik për një publik të informuar.
Burimet
Përcaktimi i ndikimit të mediave të lajmeve në formimin e opinionit publiket dhe puna e medias tradicionale. RESIS. (2020).
Aksesuar më 01/11/2023
Evrometar. Eurothink. (2023).
Aksesuar më 01/11/2023
Maqedonia, sondazh kombëtar mbi opinionin publik, Instituti Republikan Amerikan. (2018).
Aksesuar më 01/11/2023
Vrojtim kombëtar në Maqedoninë e Veriut, prill-kam 2023. Instituti Republikan Amerikan (2023).
Aksesuar më 01/11/2023
Analizë e portaleve online dhe e faqeve informative të internetit. Qendra për Zhvillimin e Medias. (2013).
Aksesuar më 01/11/2023