Klientelizmi si modus operandi

Një episod i vetëm i një seriali me buxhet të mesëm i transmetuar në platformat botërore të streaming, të tilla si House of the Dragon, kushton po aq sa i gjithë buxheti vjetor i reklamave të kompanive në Maqedoninë e Veriut. Torta e vogël e reklamave (e cila nuk kalon 20 milionë eurot në vit), ndahet mes një numri të madh mediash dhe krijon një situatë në të cilën media është vazhdimisht duke vuajtur dhe shikon klientelizmin si mënyrën e vetme për mbijetesë. 

Tregu është i saturuar dhe automatikisht po filtron stacionet televizive “të dobëta”. Përgjatë dhjetë viteve të fundit, 33 stacione televizive vendore dhe satelitore kanë dalë nga biznesi. Nga 77 televizione që ishin në vitin 2011, Maqedonia e Veriut kishte 44 të tilla në 2022. Për rrjedhojë, media në Maqedoninë e Veriut është duke kërkuar vazhdimisht mënyra të tjera për ta bërë veten financiarisht të qëndrueshme. 

Me shpresë se do të arrijë qëndrueshmëri, media trokiti fillimisht në dyert e shtetit. Në vitin 2016, shteti ishte reklamuesi më i madh në mediat private në vend përmes transmetimit të fushatave “të interesit publik”. Qeveria e krahut të djathtë VMRO-DPMNE, e cila ishte në pushtet nga viti 2006 deri në vitin 2016, pagoi median “miqësore” me mbi 26 milionë euro për të transmetuar fushata me tema të tilla si ushqimi i shëndetshëm, etika apo edukata qytetare. 

Publiku kritik e vuri re këtë dinamikë, si një masë që nënkuptonte shkëmbimin e qëndrueshmërisë financiare me ndikimin politik te politikat editoriale të këtyre mediave, gjë që i shtyn këto media të ndjekin politikën e partisë në pushtet. 

Vrojtime mes gazetarëve në Maqedoninë e Veriut tregojnë se pagat e ulëta në media, gjendja e pasigurt e punësimit dhe kushtet e këqija të punës për gazetarët janë faktorë të nxisin vetëcensurën. 

Aktualisht, paga mesatare mujore për gazetarët është 470 euro dhe kjo është më e ulët se sa paga mesatare për të gjithë vendin, e cila është 600 euro në muaj. 

Ndryshim në ligj, jo ndryshim në praktikë

Praktika e derdhjes së parave shtetërore në media ndryshoi në vitin 2017. Qeveria, tashmë e udhëhequr nga Socialdemokratët e krahut të majtë, SDSM, i ndaloi fushatat e transmetimit të çështjeve me interes publik në Ligjin për Shërbimet e Medias Audio dhe Audiovizive. Që nga ajo kohë, stacionet televizive kombëtare, satelitore, kabllore dhe rajonale kanë kërkuar që ndalimi të hiqet dhe reklamat shtetërore të rikthehen. 

Në 2023, një ligj i ri është në procedurë parlamentare, sipas të cilit, paraja për të financuar këto fushata reklamash mund të vijë nga buxheti i shtetit. Sasia e propozuar duhet të jetë maksimalisht sa 0.1% e të ardhurave totale, d.m.th., mes 3 dhe 4 milionë euro në vit. 

Nëse amendimet miratohen, duke filluar nga viti i ardhshëm, stacioneve televizive do t’u paguhet transmetimi i së paku një dhe maksimumi katër fushatave të ndërgjegjësimit publik çdo vit si në nivel qendror ashtu edhe në nivel vendor. 

Procedura do të fillojë në parlament me themelimin e një komisioni me gjashtë deputetë, tre nga maxhoranca dhe tre nga opozita. Një model i ngjashëm do të përdoret në nivelin e bashkive. 

Komisioni do të ketë detyrë të identifikojë fushatat potenciale të interesit publik; qeveria pastaj do të shpallë thirrje për zhvillimin e fushatave të tilla dhe një çmim mesatar transmetimi do të përcaktohet, me tre kategori në varësi se kur do të transmetohet reklama. 

Të pestë televizionet kombëtare private - Sitel, Kanal 5, Telma, Alfa, dhe Alsat M – do të marrin 65 për qind të fondeve çdo vit ndërsa televizionet satelitore dhe radiot do të marrin 25 për qind. Dhjetë për qind të fondeve do të shkojnë në llogaritë e televizioneve rajonale dhe vendore. 

Ndërkohë, sipas amendimeve të vitit 2018 në Ligjin Zgjedhor, u bë e mundur që secila parti që merr pjesë në zgjedhje të marrë një shumë të caktuar nga buxheti i shtetit për përfaqësim në media. Sasia varet nga rezultati i partisë në zgjedhjet e mëparshme. Në vitin 2020, më shumë se 3 milionë euro u dhanë për median me rastin e fushatës për zgjedhjet parlamentare. Për zgjedhjet vendore të vitit 2021, më shumë se 5 milionë euro u dhanë nga buxheti i shtetit për median private për reklama zgjedhore. 

Në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, e gjithë media varet nga shteti

Shërbimi i transmetimit publik, MRT, është financiarisht i varur nga shteti për shkak se shumica e financave merren nga buxheti i shtetit. Sipas Ligjit për Shërbimet Mediatike Audio dhe Audiovizuale, shteti cakton 0.5 për qind të të ardhurave vjetore për të financuar transmetuesin publik. 

Gjithashtu, çdo vit jepen subvencione për median e shtypur në mënyrë që të mbulohen kostot e tyre të shtypit. Përgjatë pesë viteve të fundit, shteti ka paguar 2.7 milionë euro në total, ku mbështetja më e madhe ka vajtur te të përditshmet "Sloboden Pechat," "Vecer," "Nova Makedonija," dhe "Koha", për shkak të qarkullimit të tyre më të lartë dhe shpenzimeve më të larta gjithashtu. Përveç kësaj, gazetat marrin para shtetërore nga reklamat për shkak se të gjitha institucionet shtetërore dhe bashkitë janë ligjërisht të detyruara të botojnë të gjitha njoftimet e punës, njoftime të tjera dhe lloje të tjera informacioni në median e shtypur, një në gjuhën maqedonase dhe një në gjuhën shqipe. 

Në mënyrë të ngjashme me televizionet dhe gazetat, media digjitale, d.m.th., portalet, janë duke kërkuar ndihmë financiare nga shteti. Argumenti i tyre kryesor për këtë është fakti që audienca në vend po përqendrohet gjithnjë e më shumë online. 

Aktualisht, ata mund të aplikojnë te Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve për t’u regjistruar për reklama politike dhe të marrin para nga buxheti shtetëror për përfaqësim mediatik të partive. Kufiri ligjor është 15,000 euro ($15,800) për secilën media online. Disa prej tyre përpiqen të dyfishojnë apo trefishojnë të ardhurat e tyre zgjedhore duke operuar disa adresa paralelisht. 

Skenari aktual zbulon se shumica e mediave në Maqedoninë e Veriut varen shumë nga burime specifike financimi, të tilla si subvencionimet shtetërore dhe këmbëngulin të ruajnë status quo-në në mënyrë që kjo marrëdhënie të vijojë. 

Në mënyrë të pashmangshme, kjo komprometon rolin e tyre si kontrollues të pushtetit të qeverisë dhe si platformë të debateve publike. Kjo varësi në mënyrë të shpeshtë sjell neglizhencën ndaj perspektivave të ndryshme dhe çështjeve thelbësore të shoqërisë, duke ngushtuar fokusin dhe kufizuar mbulimin e çështjeve kyçe për publikun. Klientelizmi bëhet modus operandi për to, duke priorizuar ravijëzimin me perspektivat e themeluesve të tyre. 

  • Project by
    BIRN LOGO
  •  
    Global Media Registry
  •  
    Funded by European Union