Ekonomia

Me një popullsi prej vetëm 1.8 milionë banorësh, Maqedonia e Veriut është një ekonomi e vogël dhe e hapur, e cila varet nga importet. 

Pasi fitoi pavarësinë nga ish-Jugosllavia në 1991, vendi doli si një nga më të varfrit në rajon, me një ekonomi që vuan nga inflacioni i lartë. 

Ky ishte rezultat i një numër faktorësh, përfshirë kolapsin e tregut të përbashkët jugosllav dhe luftërat në ish-Jugosllavi, si dhe një embargo greke që zgjati një vit e gjysmë. Privatizimi i kompanive shtetërore pati gjithashtu impakt të madh në situatën socio-ekonomike. Aksionet e një numri të madh kompanish shtetërore shpesh u shitën lirë; sipas disa llogarive ekonomike, shteti rikuperoi vetëm 20 për qind të vlerës së disa prej kompanive. 

Pas stabilizimit gradual të ekonomisë, një periudhë e dytë destabilizimi pasoi, kryesisht për shkak të luftës së vitit 1999 në Kosovën fqinje dhe në konfliktin etnik në Maqedoninë e Veriut në 2001. Eksportet, konsumi privat dhe Investimet e Huaja Direkte ishin udhëheqësit kryesorë të rritjes. Në 1992, Maqedonia e Veriut prezantoi denarin si monedhë zyrtare. Banka Kombëtare është përgjegjëse për stabilitetin e monedhës. 

Norma e papunësisë ishte e lartë në periudhën e pas pavarësisë, me raste duke kapërcyer nivelin 30 për qind. Sot është rreth 14 për qind, duke treguar një tendencë graduale drejt rënies. 

Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se, deri më 20 shtator 2023, borxhi kombëtar është 48.2% e PBB-së dhe borxhi publik është 55.8% e PBB-së.

Sipas Bankës Botërore, Prodhimi i Brendshëm Bruto, PBB, për frymë në 2022 ishte $6,591. Industritë që kanë rolin më të madh në PPB janë ndërtimi, shitja me shumicë dhe me pakicë, riparimi i automjeteve dhe motomjeteve, transporti, magazinimi dhe akomodimi si dhe shërbimet ushqimore. 

Inflacioni vjetor për tremujorin e tretë të vitit 2023 ishte 6.6 për qind. 

Indeksi Gini, i cili mat pabarazinë dhe ndarjet klasore për vitin 2019, tregoi nivelin 33.5 për qind. Në 2018 pabarazia ishte lehtësisht më e lartë, në 34.2 për qind. 

Financimi Publik

Maqedonia e Veriut është një treg i vogël me shumë media. Buxheti vjetor i reklamimit arrin në rreth 20 milionë euro, kështu që media – në veçanti televizionet dhe radiot, të cilat kanë një total prej 1 mijë punëtorësh – janë nën presion ekonomik. 

Kjo është arsyeja se pse një numër i madh mediash, në veçanti media rajonale, kanë dalë nga biznesi. 

Shteti ka qenë një nga financuesit kyçë të sektorit të medias. Në të shkuarën, përmes fushatave të interesit publik, të rregulluara përmes Ligjit për Shërbimet Mediatike Audio dhe Audiovizuale, shteti ishte reklamuesi më i madh i medias. Ai ndikonte shumë politikën editoriale të mediave të ndryshme, duke blerë reklama në televizionet private me shuma të mëdha parash. Për shumë vite, qeveria e udhëhequr nga VMRO DPMNE e krahut të djathtë, pagoi miliona euro si në televizione ashtu edhe në radiot private përmes financimit të fushatave të interesit publik. Me fjalë të tjera, ajo bleu mbështetjen e medias. 

Tani, sipas ligjit të medias, kjo praktikë është e ndaluar. Që nga viti 2018, ndryshimet në Ligjin për Shërbimet Mediatike Audio dhe Audiovizuale, ndaluan reklamat shtetërore në radiot dhe televizionet private. Që nga ajo kohë, institucionet shtetërore dhe bashkitë nuk janë lejuar të shpenzojnë para për informimin e publikut mbi shërbimet dhe aktivitetet e tyre përmes transmetuesve privatë, pra, në televizione dhe radio. 

Pavarësisht ndalesës, si autoritetet shtetërore ashtu edhe ato bashkiake vijojnë të transmetojnë fushata të interesit publik. Dallimi është se që nga viti 2019 këto fonde nuk merren drejtpërsëdrejti nga media por merren nga agjencitë e marketingut, të cilat pastaj blejnë kohë televizive për reklama. 

Partia Social Demokrate, SDSM, dhe partneri i tyre, Bashkimi Demokratik për Integrim, BDI, po propozojnë tani ndryshime ligjore për të lejuar sërish financimet shtetërore të medias private. 

Shteti mbetet financuesi kryesor i trasmetuesit publik të Maqedonisë, MRTV. Sipas Ligjit mbi Shërbimet Mediatike Audio dhe Audiovizuale, shteti duhet të caktojë 0.5% të të ardhurave të veta vjetore për ta financuar atë.

Që nga viti 2018, qeveria ka dhënë ndihmë financiare për median e shkruar, për të mbuluar një pjesë të kostos së shtypjes së gazetave. Kjo praktikë u rekomandua nga një grup ekspertësh udhëhequr nga Reinhard Priebe, i cili më 105 kreu një vrojtim të përgjithshëm të gjendjes në shoqërinë e Maqedonisë e Veriut. 

Sipas konkluzioneve të tij, media e shkruar nuk do të mbijetonte dot pa mbështetje të tillë. Kjo ndihmë gjithsesi po pakësohet nga viti në vit. 

Të gjitha institucionet e shtetit apo bashkitë, kur shpallin gara të hapura për aplikime, janë të detyruara të reklamojnë këto njoftime në së paku dy gazeta të përditshme. 

Ka një tendencë të dukshme drejt rënies së qarkullimit të gazetave të përditshme, në krahasim me të shkuarën, ndërsa audienca zhvendoset online. 

Gjatë pandemisë së COVID-19, shteti dha ndihmë financiare për reklamuesit. Kjo përfshiu fonde për të mbuluar kostot e transmetimit të sinjalit si dhe mbështetje financiare për të mbuluar kostot e tarifave të licencave të transmetimit. Shteti dha ndihmë të plotë për vitin 2021 dhe 50 për qind për vitin 2022. 

Gjatë fushatave zgjedhore, media mund të fitojë shuma domethënëse nga transmetimi i propagandës elektorale për partitë politike.

Të ardhurat totale të televizioneve dhe radiove nga reklamat në vitin 2022 ishin 19.8 milionë euro; nga kjo shifër është përjashtuar reklama politike e paguar. 

Lojtarët më të mëdhenj në tregun e medias dhe të transmetimeve në Maqedoninë e Veriut janë pronarët e pesë televizioneve kombëtare, të cilat kanë pjesën më të madhe të të ardhurave nga reklamat. Gjithsesi, për ta media nuk është biznesi kryesor, por është një biznes shtesë. 

Në Maqedoninë e Veriut nuk ka statistika zyrtare mbi reklamuesit më të mëdhenj në tregun e medias. Më herët statistika të tilla prodhoheshin nga Agjencia e Medias. Sot, të vetmet të dhëna të disponueshme janë të ardhurat që media merr nga reklamat. 

Kur shikon reklamat e transmetuara në televizionet apo radiot kombëtare, vëren se më të mëdhenjtë në treg duket se janë kompanitë e automjeteve, operatorët e telekomunikacionit, bankat, kompanitë farmaceutike, industria e ushqimeve dhe e pijeve, etj. 

Në Maqedoninë e Veriut, rreth 200 media online aplikojnë çdo vit për fonde nga buxheti i shtetit për reklama politike gjatë zgjedhjeve. Në një panoramë të tillë të vogël mediatike, me një numër të stërmadh portalesh, reklamuesit mund të sigurojnë vizibilitet më të lartë për fushatat e klientëve të tyre për shuma parash relativisht të vogla. Disa nga këto postime PR-i as nuk etiketohen si të tilla. 

  • Project by
    BIRN LOGO
  •  
    Global Media Registry
  •  
    Funded by European Union