Konsumimi i medias
Burimi kryesor i lajmeve nga sfera politike në Maqedoninë e Veriut është televizioni, sipas vrojtimit më të fundit të kryer nga Instituti Republikan Ndërkombëtar, IRI, në 2023.
Vrojtimi, i cili lejoi për disa përgjigje njëherësh, gjeti se 73% e të anketuarve deklaruan ekranin si burimin kryesor të informacionit. Vrojtimi vëren një rënie të kësaj tendence në krahasim me vitin 2020, kur 80 për qind e të anketuarve thanë se i merrnin lajmet politike nga televizioni.
Këto shifra janë të kuptueshme; nga një total prej 600 mijë familjesh në Maqedoninë e Veriut, sipas Zyrës Shtetërore të Statistikës, 96.3 për qind kanë një televizor.
Burimi i dytë më i zakonshëm i lajmeve, sipas vrojtimit të IRI-t, është interneti.
Nga të gjithë të anketuarit, 38 për qind thanë se ata e marrin informacionin nga interneti apo përmes portaleve në internet. Mes të tjerave, tendenca drejt internetit si burim gjithnjë e më dominues i informacionit është rezultat i faktit që, sipas Zyrës Shtetërore të Statistikës, 88.6 për qind e familjeve kishin akses në internet në 2022. Përveç kësaj, dy të tretat e familjeve (69.1 për qind) kanë një kompjuter apo laptop dhe plot 87.8 për qind kanë një telefon celular.
Një tendencë e ngjashme shfaqet në vrojtimin e kryer nga Agjencia për Komunikimet Elektronike, AEK, më 2023. Sipas saj, 98% e të anketuarve kanë një smartphone në të cilin mund të ndjekin portalet informative dhe edicionet në internet të medias tradicionale. I njëjti vrojtim zbulon se plot 92 për qind e të anketuarve përdorin internetin në smartphone.
Një numër shumë i vogël të anketuarish deklaruan se ata e marrin informacionin nga gazetat apo nga radio – respektivisht 5 dhe 3 për qind.
Ka pesë gazeta të përditshme në Maqedoninë e Veriut, tre prej tyre janë në maqedonisht dhe dy në shqip. Qarkullimi i tyre ka qenë në rënie prej vitesh. Gazeta me qarkullimin më të lartë, Sloboden Pecat, shtyp mesatarisht 7 mijë kopje në ditë.
Përveç Radios së Maqedonisë, e cila është pjesë e shërbimit të transmetimeve publike, ka katër stacione të tjera radiofonike, të cilat transmetojnë programe informative në nivel kombëtar.