Mediat Online
Sipas të dhënave nga Zyra Shtetërore e Statistikave për vitin 2022, 86.6 për qind e familjeve në Maqedoninë e Veriut kanë akses në internet në shtëpi.
Numri i mediave online është i panjohur për shkak se sipas ligjit mbi median, ato nuk njihen si media, e për rrjedhojë, nuk rregullohen në asnjë mënyrë. Gjithsesi, një numër i përafërt mund të llogaritet nga të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku portalet regjistrohen para zgjedhjeve, nëse dëshirojnë të publikojnë materiale të fushatave zgjedhore në faqet e tyre të internetit.
Në vitin 2021, një total prej 191 portalesh informative u regjistruan për zgjedhje vendore.
Sipas të dhënave të Eurostat, në vitin 2021, 72 për qind e shtetasve të Maqedonisë raportuan se marrin informacion përmes portaleve online. Sipas një anketimi të opinionit publik, kryer nga Instituti Republikan Ndërkombëtar në maj 2023, kur pyeten se cili është burimi që të anketuarit përdorin më shpesh për lajme politike, 73 për qind thonë se e marrin informacionin nga televizioni ndërsa 38 për qind e marrin nga media online.
Pavarësisht kësaj, popullariteti i portaleve në Maqedoninë e Veriut ka vijuar të rritet përgjatë viteve.
Tre burime janë marrë parasysh kur u bë përzgjedhja e mediave online që u përfshinë në databazën e Monitorit të Pronësisë së Medias në Maqedoninë e Veriut: të dhënat e "Similarweb", një kompani e specializuar në matjen e trafikut në internet, të dhëna nga Picasa Analytics, një kompani e specializuar në analizimin e të dhënave, dhe "CrowdTangle", një mjet për informacion të brendshëm publik nga "Meta", i cili analizon postimet publike në rrjetet e medias sociale. Media online që u gjet në së paku dy prej këtyre burimeve u përfshi në bazën e të dhënave.