Historia

Historia e medias dhe e gazetarisë është një pjesë integrale e historisë së Maqedonisë së Veriut.

Gazetat e para maqedonase, Nova Makedonija dhe Mlad Borec, si dhe Radioja Kombëtare u themeluan gjatë luftës për çlirim kombëtar në 1944, kur u krijua edhe shteti maqedonas. 

Në atë kohë, simbioza mes elitës së partisë komuniste dhe medias nuk ishte sekret, por një formë bashkëpunimi i hapur. 

Gazetarët quheshin “punëtorë social-politikë”, detyra kryesore e të cilëve ishte të komunikonin dhe të shpjegonin për lexuesit dhe dëgjuesit pozicionin e kryesisë së partisë, si dhe të mbronin sistemin socialist në vend.

Shpërbërja e përgjakshme e Republikës Federale Socialiste të Jugosllavisë e la vendin me dy media kryesore – Radio Televizionin e Maqedonisë, MRTV, i cili kishte dy kanale televizive, si dhe Radion e Maqedonisë, me disa kanale – si dhe kompaninë e botimeve Nova Makedonija, e cila përfshinte gazetat Vecer në maqedonisht, Flaka

në shqip dhe Birlik në turqisht krahas disa periodikëve që mbulonin tema të ndryshme (Sport, Ekran, Kotelec, Osten etj).

Në vitin 1990 u zhvilluan zgjedhjet e para shumëpartiake. Në atmosferën e re të demokratizimit dhe hapjes, u krijua media e parë private, e cila gradualisht, por në mënyrë të dukshme fitoi avantazh përkundrejt mediave shtetërore. 

Gazeta e parë e pavarur në Maqedoninë e Veriut ishte e përditshmja Republika, e cila u shfaq në 1991. Gjithsesi, ajo shpejt doli nga tregu pas 218 numrash. Për rrjedhojë, gjerësisht mendohet se procesi i pluralizimit të vërtetë të medias së shkruar filloi me të përditshmen private Dnevnik, e cila hyri në treg në 1996. 

Dnevnik rezultoi konkurrent real i shtetërores Nova Makedonija, gjë që solli rënien e shtëpisë më të madhe botuese të vendit dhe, eventualisht, privatizimin e saj. 

Në 1991, stacioni i parë radiofonik privat filloi transmetimet. Në 1993 u shfaq televizioni i parë privat, TV A1. A1 shpejt kapërceu dominimin e Radio Televizionit të Maqedonisë dhe u bë media më e ndjekur në vend deri sa u mbyll në 2011. 

Pati mungesë rregullimi në tregun e medias deri sa Ligji i Transmetimit u miratua për herë të parë në 1997. Para këtij ligji, më shumë se 300 radio dhe televizione ishin duke transmetuar. Mungesa rregullatore solli që disa media, në veçanti televizione, të themeloheshin nga njerëz që ishin sakaq zyrtarë të lartë të partive politike apo drejtorë ose pronarë të kompanive shtetërore të sapo privatizuara. 

Edhe sot, pronarët e numrit më të madh të transmetuesve më me ndikim, veçanërisht ata të transmetojnë në nivel kombëtar, janë korporata të mëdha me lidhje të forta politike apo biznesi dhe me një larmi interesash biznesi, aktivitetet kryesore të të cilave, në fakt, nuk janë të përqendruara te media. 

Për rrjedhojë, këta pronarë përdorin median në mbështetje të sipërmarrjeve të tyre të tjera të biznesit. Përveç kësaj, mediat shpesh përdoren si mjete negocimi për të siguruar prokurime publike fitimprurëse nga qeveria, përmes ndryshimit të politikës editoriale në favor apo kundër qeverisë, në varësi të çfarë pronari i medias ka nevojë në një kontekst të caktuar. 

Klientelizmi sistematik i medias kryesisht shkaktohet nga dy faktorë: interesat fitimprurës të pronarëve, nga njëra anë dhe numrit të lartë të medias që lufton për mbijetesë në një treg të vogël dhe të varfër nga ana tjetër. Ky fenomen shënoi kulmin në vitin 2008, gjatë kohës së qeverisë së koalicionit mes VMRO DPMNE dhe BDI-së, të udhëhequr nga kryeministri Nikola Gruevski. 

Duke paguar për transmetimin e fushatave publike, të cilat në gjuhën popullore u quajtën “reklamat e qeverisë”, qeveria e Gruevskit shpërbleu ato media që mbështesnin propagandën në interes të partisë në pushtet. Anasjelltas, sistemi mbylli ose rraskapiti ekonomikisht median që nuk bashkëpunoi me interesat e VMRO DPMNE. Situata u përshkallëzua në pikën kur mes viteve 2008 dhe 2012 qeveria dhe partia në pushtet, VMRO DPMNE, u bënë reklamuesit më të mëdhenj të medias në vend. 

Presioni mbi median e pavarur dhe kritike, blerja e tyre e dhunshme, pushimi nga puna i gazetarëve si dhe arrestimi i pronarit të televizionit më të ndjekur, A1, dhe mbyllja e televizionit, solli konsolidimin e bashkësisë së medias, e cila shprehu pakënaqësinë përmes protestave, grevave dhe aksioneve publike përgjatë të gjithë periudhës së qeverisjes së Gruevskit, nga viti 2011 deri në vitin 2016. 

Për këtë shkak, çështja e korruptimit dhe presionit ndaj medias u bë çështje politike. Për rrjedhojë, në 2015, të ashtuquajturat “reklama qeveritare” u ndaluan formalisht nga një vendim i ish-kryeministrit. 

Në 2017, qeveria e re socialdemokrate premtoi se do të promovonte lirinë e medias dhe do të advokonte për ndryshime ligjore që të mund të ndalonin me ligj korruptimin e medias me para nga buxheti i shtetit. Ndalimi filloi në 2017 dhe ndryshimet ligjore u miratuan Në 2018. Gjithsesi, nën presion nga vetë media, në veçanti nga televizionet e mëdha, qeveria aktuale do të rifillojë edhe një herë fushatat e reklamave në media. 

  • Project by
    BIRN LOGO
  •  
    Global Media Registry
  •  
    Funded by European Union