Politika

Maqedonia e Veriut është një demokraci parlamentare. Parlamenti përbëhet nga 120 deputetë që zgjidhen një herë në katër vjet përmes modelit të proporcionalit me lista të mbyllura. Ka gjashtë zona elektorale, secila përfaqëson një pjesë të territorit të vendit nga ku dalin 20 zgjedhës. 

Shumica e deputetëve, së paku 61, emërojnë kryetarin e qeverisë, apo kryeministrin, si dhe ministrat, ndërsa mandati për krijimin e qeverisë së sapozgjedhur, proces që është në natyrë më shumë ceremonial, jepet nga Presidenti i shtetit. Mandatin për krijimin e qeverisë e merr politikani që ka mbështetjen e së paku 61 deputetëve dhe, zakonisht, jepet nga kryetari i partisë që ka shumicën e vendeve në parlament; megjithatë, për këtë ka pasur edhe përjashtime. 

Presidenti i vendit zgjidhet çdo pesë vjet në zgjedhje të drejtpërdrejta, zakonisht të mbajtura në dy raunde, nëse asnjë nga kandidatët në raundin e parë nuk fiton më shumë se sa gjysmën e votave të të gjithë shtetasve me të drejtë vote. Lista zgjedhore numëron rreth 1.8 milionë zgjedhës. 

Presidenti është gjithashtu komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura dhe ka disa detyra të tjera të kufizuara në sferën e diplomacisë. 

Ai ka gjithashtu një rol kontrollues mbi parlamentin, si dhe ka të drejtën të mos firmosë një ligj të votuar nga deputetët. Gjithsesi, nëse parlamenti e miraton të njëjtin ligj sërish, presidenti detyrohet ta firmosë. 

Qeveria është krijuar gjithmonë me koalicion, duke u përbërë nga disa parti ose blloqe partish. Një rregull i pashkruar është se partia e dytë më e madhe e koalicionit vjen nga grupi i partive të shqiptarëve – një praktikë që është ruajtur që nga viti 1991. 

Vendimet në parlament, të cilat prekin komunitetin e pakicave etnike ndërmerren nën të ashtuquajturin sistemi i shumicës Badenter; shumica e votave nga deputetët jo maqedonas duhet ta mbështesin atë. 

Gjyqtarët dhe prokurorët zgjidhen nga këshillat special, ndërsa përbërja e këshillave zgjidhet nga brenda. Ky sistem, në teori, redukton ndikimin e maxhorancës së radhës parlamentare dhe përfshin bashkësinë e profesionistëve më shumë në zgjedhjen dhe kontrollin e punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve. Gjithsesi, edhe në këtë model, elitat politike shpesh gjejnë mënyra për të ndikuar te këshillat dhe në mënyrë indirekte, te gjyqtarët dhe prokurorët. 

Prokurori publik, nga ana tjetër, zgjidhet nga parlamenti me propozim të qeverisë. 

Autoritetet politike rregullisht janë përpjekur të kontrollojnë narrativën në media dhe shpesh ia kanë dalë përmes korrupsionit të fshehtë të medias më të fuqishme. Kjo praktikë ishte më e theksuar mes viteve 2006 dhe 2017. 

Pas një krize politike serioze dhe ndryshimit të qeverisë në 2017, gjërat morën kthesë për mirë në termat e lirisë së medias. Gjithsesi, ndikimi i partive politike dhe klientelizmi kanë mbetur probleme të mëdha që prekin panoramën e medias në Maqedoni. 

Organizata mbikëqyrëse Reporterët pa Kufij, në raportin e vitit 2023 për Maqedoninë e Veriut, vërejti se media mund të jetë ende subjekt presionesh nga autoritetet, politikanët dhe biznesmenët. Raporti thekson gjithashtu ndikimin e fortë politik dhe partiak dhe polarizimin që reflektohet në media. 

“Të dy partitë më të mëdha (ajo në pushtet dhe ajo në opozitë) kanë krijuar sisteme paralele mediatike në të cilat ato ushtrojnë ndikimin e vet politik dhe ekonomik”, shkroi Reporterët pa Kufij. 

Në anën tjetër, pavarësisht premtimeve të bëra para ndryshimit të qeverisë në 2017, ndryshimet në personel dhe në strukturë në Agjencinë për Shërbimet Mediatike Audio dhe Audiovizuale dhe në Këshillin e Programacionit në transmetuesin publik MRT nuk ndodhën. Kjo ka krijuar përshtypjen – edhe te Reporterët pa Kufij – se transmetuesi publik nuk ka pavarësi editoriale. 

Reporterët pa Kufij thonë se është problematike që ky shërbim nuk është financiarisht i pavarur, gjë që ka ardhur si pasojë e eliminimit të taksës për financimin e transmetimeve televizive në vitin 2017, duke e lënë MRT-në të financuar drejtpërsëdrejti nga buxheti i qeverisë. 

  • Project by
    BIRN LOGO
  •  
    Global Media Registry
  •  
    Funded by European Union