Kuadri ligjor
Kushtetuta jep liri të shprehjes, të shfaqjes publike, të informimit publik si dhe të drejtën për të themeluar institucione për informimin e publikut. (Neni 16).
Se si skena mediatike funksionon në vend, kjo rregullohet përmes Ligjit për Median dhe Ligjit për Shërbimet Mediatike Audio dhe Audiovizuale. Të dy ligjet u miratuan në vitin 2013 dhe përmes tyre u themeluan parimet themelore të funksionimit të televizioneve, radiove dhe shtypit.
Sipas Ligjit të Medias, media përkufizohet si mjet i informimit të publikut për publikimet e përditshme ose periodike me përmbajtje të formësuar editoriale në të shkruar, me zë apo me zë dhe figurë, në mënyrë që të informojë, të kënaqë nevojat kulturore, edukative dhe të tjera të publikut të përgjithshëm. Ligji garanton lirinë e medias, por gjithashtu vendos detyrime, të tilla si mosraportimi në mënyra që dhunojnë të drejtat e njeriut, kërcënojnë sigurinë kombëtare, cenojnë minorenët, etj.
Për më tepër, ligji përcakton kushtet nën të cilat individët dhe entitetet ligjore mund të themelojnë një organ mediatik. Ligji rregullon parimet e funksionimit të medias, të tilla si: transparenca, publikimi i një gjurme, të drejtat dhe detyrimet e gazetarëve dhe redaktorëve, etj.
Për më shumë, Ligji për Shërbimet Mediatike Audio dhe Audiovizuale më saktë rregullon të drejtat dhe detyrimet e medias elektronike – televizionet dhe radiot. Kjo përfshin ndarjen e frekuencave dhe licencave për programet transmetuese vendore, rajonale apo kombëtare, personelin minimal dhe kushtet teknike të kërkuara për funksionimin e rregullt të këtyre mediave si dhe për raportin mes përmbajtjeve informative, edukuese dhe dëfryese në skemën e programacionit.
Në veçanti, institucioni që ka një rol kyç në rregullimin e hapësirës mediatike është Agjencia për Shërbimet Mediatike Audio dhe Audiovizuale. Ajo është një agjenci e pavarur, këshilli i së cilës zgjidhet nga Parlamenti i Maqedonisë, ndërsa këshilli zgjedh drejtorin e agjencisë. Agjencia ka funksionet e veta të punës si vijon: vendos dhënien, heqjen apo zgjatjen e licencave për transmetime televizive apo radiofonike, kujdeset për mbrojtjen dhe zhvillimin e pluralizmit në shërbimet mediatike audio dhe audiovizive si dhe nxit dhe mbështet ekzistencën e shërbimeve mediatike të pavarura audio dhe audiovizive. Ajo gjithashtu nxit lirinë e shprehjes, kujdeset që puna e transmetuesve të ketë natyrë publike, kujdeset për mbrojtjen e interesave të shtetasve në fushën e medias audio dhe audiovizive, kryen monitorim dhe merr masa në rastet e shkeljeve të kritereve të ligjit apo akteve nënligjore; agjencia nxit alfabetizmin mediatik.
Për më shumë, Radio Televizioni i Maqedonisë (MRT) u themelua si shërbim publik përmes Ligjit për Themelimin e Sipërmarrjes Publike të Radios dhe Televizionit të Maqedonisë në 1998. Ky ligj rregullon mënyrën dhe parimet e funksionimit të kanaleve të radios dhe televizionit të shërbimit publik, strukturën dhe mënyrën e përzgjedhjes apo të funksionimit të organeve menaxheriale të tij. Ky ligj nuk zbatohet më për shkak se parashikimet e tij thjeshtë janë kaluar në ligje të mëvonshme, përfshirë Ligjin për Shërbimet Mediatike Audio dhe Audiovizuale, i cili qeveris operacionet e shërbimit publik. Pavarësia e Radio Televizionit Publik nga pushteti ekzekutiv garantohet në mënyrë që anëtarët e organeve të tij më të larta – bordi i menaxhimit dhe këshilli i programacionit, të zgjidhen me garë të shpallur nga parlamenti, ndërsa qeveria nuk ka rol në proces. Këshilli i Programacionit zgjedh drejtorin e MRT-së dhe zëvendësdrejtorin.
Ligji për Shërbimet Mediatike Audio dhe Audiovizuale ndalon partneritetin sekret mes transmetuesve. Ligji siguron që shtetasit e huaj dhe kompanitë e huaja të mund të jenë njësoj themelues të transmetuesve në kushte të barabarta me shtetasit e Maqedonisë së Veriut (me përjashtim të shtetasve të huaj të regjistruar në vende në të cilat, sipas rregullave përkatëse, është e pamundur ose e ndaluar të përcaktohet origjina e kapitalit themelues). Partitë politike, organet shtetërore, organet e administratës shtetërore, sipërmarrjet publike, njësitë e vetëqeverisjes vendore, mbajtësit e funksioneve publike si dhe anëtarët e familjeve të tyre nuk mund të kryejnë aktivitete transmetuese apo të jenë themelues të ndonjë transmetuesi.
Përcaktimet e lidhura me përqendrimin e medias në Ligjin për Shërbimet Mediatike Audio dhe Audiovizuale i referohen transmetuesve – televizioneve dhe radiove, pavarësisht se çfarë mjetesh transmetimi përdorin ata. Të gjitha kufizimet vlejnë njësoj për stacionet radiofonike dhe televizionet tokësore, satelitore apo transmetimet përmes një burimi të pakufizuar (kabllor apo IPTV). Në fakt, të gjitha kufizimet zbatohen për pronësinë e aksioneve.
Radiot apo televizionet komerciale nuk mund të lidhen, qoftë përmes pronësisë direkte apo indirekte, me kompani që kryejnë aktivitete të kësaj natyre: reklama dhe marketing, shpërndarje të punëve audiovizive, prodhim filmash, kërkime mbi tregun apo mbi opinionin publik si dhe të operojnë si transmetues i programeve radiofonike apo televizive përmes rrjeteve të komunikimit elektronik.
Kufizimet në përqendrimin e mediave janë vendosur për pronarët e medias dhe zbatohen gjithashtu për njerëz të lidhur me ta, përfshirë anëtarët e familjes. Media e shkruar dhe agjencitë e lajmeve mbulohen nga këto kufizime në mënyrë indirekte për shkak të ndalimit të integrimit mes një kompanie transmetimesh audiovizive dhe një kompanie që ka nën pronësi media të shtypur apo agjenci lajmesh.
Media digjitale, më specifikisht portalet vendëse online që publikojnë përmbajtje informative apo tjetër lloj përmbajtjeje, nuk janë subjekt i rregullimit as nga Ligji për Median dhe as nga Ligji për Shërbimet Mediatike Audio dhe Audiovizuale.
Për më shumë, reklamat shtetërore në mediat audiovizuale nuk lejohen. Neni 102 ndalon organet shtetërore, organet e administratës shtetërore, sipërmarrjet publike, njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe institucionet publike si dhe entitetet ligjore me fuqi publike apo kompanitë tregtare tërësisht nën pronësi shtetërore të japin fonde për transmetuesit publikë për qëllime të informimit të publikut mbi shërbimet apo aktivitetet e tyre.
Sa i përket medias së shkruar, qeveria i mbështet ata përmes një programi që mbulon 50 deri në 70 për qind të kostos së shtypit dhe të shpërndarjes të gazetave të përditshme apo të përjavshme. Bazuar në këtë program, 300 deri në 700 mijë euro janë dhënë për media të ndryshme përgjatë pesë viteve të fundit. Kjo mbështetje, gjithsesi, nuk është e rregulluar nga një ligj i lidhur me sferën e medias. Programi zbatohet në bazë të Ligjit për Ekzekutimin e Buxhetit.
Nga shtatori 2022, me mbështetjen e një grupi ekspertësh të punësuar nga BE-ja, Ministria për Informimin dhe Administratën Publike nisi procesin e amendimit të legjislacionit mbi median në vend në mënyrë që të transpozojë rregulloret dhe rekomandimet e BE-së dhe të Këshillit të Evropës. Hapi i parë i procesit konsiston në harmonizimin e Ligjit për Shërbimet Mediatike Audio dhe Audiovizuale me Direktivën e Shërbimeve të Medias Audiovizive të Komisionit Evropian të vitit 2018. Ky ka qenë një kusht për pjesëmarrjen e vendit në programin Creative Europe (Evropa Krijuese). Faza e dytë e reformës ligjore, e cila pritet të plotësohet nga fundi i vitit 2023, mbulon gjithashtu një numër çështjesh të tjera, përfshirë parashikimet kundër përqendrimit të medias. Për një kohë të gjatë, këto parashikime janë konsideruar se u ka kaluar koha dhe janë të pamjaftueshme në mjedisin digjital në të cilën operon media sot.