Shoqëria

Regjistrimi i fundit i popullsisë, kryer në vitin 2021, tregoi se një total prej 1,836,713 banorësh jetojnë në Maqedoninë e Veriut. 

Grupet më të mëdha etnike janë maqedonasit (58.44 për qind) dhe shqiptarët (24.30 për qind). Në terma të religjionit, grupet më të mëdha janë të krishterët ortodoksë (46.14 për qind) dhe myslimanët (32.17 për qind).

Marrëveshja Kornizë e Ohrit, e firmosur në gusht 2001, përkufizon të drejtat e bashkësive etnike në bazë të përqindjeve të popullsisë totale. Në fakt, arsyeja se pse nuk u krye censi për gati 20 vjet ishin marrëdhëniet delikate ndëretnike si dhe marrëdhëniet politike në vend. Censi i mëparshëm u krye në 2002. 

Përveç maqedonasve dhe shqiptarëve, censi i fundit tregoi se në Maqedoninë e Veriut jetojnë edhe këto grupe të tjera etnike: turqit (3.86 për qind), romët (2.53 për qind), vllehët (0.47 për qind), serbët (1.30 për qind) dhe boshnjakët (0.87 për qind).

Gjuhët zyrtare janë maqedonishtja, e cila flitet nga 61.38 për qind e popullsisë, dhe gjuha shqipe, e cila flitet nga 24.34 për qind.

Gjuhë të tjera të folura në vend janë: turqisht (3.41 për qind), romisht (1.73 për qind), gjuha vllahe (0.17 për qind), serbisht (0.61 për qind) dhe ajo boshnjake (0.85 për qind).

Përveç të krishterëve ortodoksë dhe myslimanëve, grupe të tjera fetare jetojnë në Maqedoninë e Veriut janë: katolikët zënë 0.37 për qind të popullsisë, sipas rezultateve të censit. Ka gjithashtu të krishterë ungjillorë, agnostikë, budistë dhe të tjerë, por përqindjet përkatëse nuk janë specifikuar.

Censi konfirmoi shqetësime të mëparshme se numri i banorëve në vend është në rënie. Të dhënat treguan se, në krahasim me censin e vitit 2002, popullsia ka rënë me 185,834 vetë, ose 9.2 për qind. Arsyet janë lindshmëria e ulët dhe shkalla e lartë e emigrimit, kryesisht si pasojë e arsyeve ekonomike dhe shoqërore. 

Ata që kanë mbetur në Maqedoninë e Veriut jetojnë gjithnjë e më shumë në qytete se sa në fshat. Popullsia urbane përbën 61.6% të popullsisë, ose 1,131,356 banorë. Gjithsej 705,357 vetë, ose 38.4 për qind, jetojnë në zonat rurale. 

Qyteti më i madh në Maqedoninë e Veriut është kryeqyteti, Shkup, ku banon një e treta e popullsisë ose 526,502 banorë. Të tre qytetet e tjera të mëdha janë Kumanova, Manastiri/Bitola dhe Tetova.

Densiteti i popullsisë në vend është 72.2 banorë për kilometër katror (km2). Rajoni me densitet më të lartë të popullsisë është Shkupi me 334.99 banorë për km2. Ky është edhe rajoni i vetëm nga të tetë rajonet statistikore në të cilin numri i banorëve, familjeve dhe banesave është rritur. 

Rajoni me densitetin më të ulët të popullsisë është Vardari 

(34.3 banorë për km2). Të tjerat janë: Pollogu: (104.1 banorë për km2), Rajoni Jugperëndimor (53.1 banorë për km2), Rajoni Juglindor (54.1 banorë për km2), Rajoni Lindor (42.47 banorë për km2), dhe Pelagonia, (44.6 banorë për km2).

Norma e analfabetizmit është 1.24 për qind dhe kjo është ulur në krahasim me censin e vitit 2002, kur norma ishte 3.6 për qind. Shumica e analfabetëve, 13,380 gjithsej, janë gra. Numri i burrave analfabetë është 5,517.

Përqindja e popullsisë që ka përfunduar arsimimin dytësor është 44.1 për qind.

Vrojtimet mbi alfabetizmin mediatik në mënyrë të rëndomtë e vendosin Maqedoninë e Veriut në fund të listës së vendeve me të cilat bëhet krahasimi. 

Indeksi i Alfabetizmit Mediatik për vitin 2022, përgatitur nga Instituti për Shoqëri të Hapur brenda Iniciativës Politike Evropiane, e pozicionoi Maqedoninë e Veriut në vend të dytë nga fundi, ose në vend të 40-ë, duke lënë pas vetëm Gjeorgjinë. 

Sipas anketës së Institutit Ndërkombëtar Republikan, IRI, publikuar në 2023, shtetasit e Maqedonisë së Veriut nuk kanë besim tek institucionet shtetërore. Bankat janë më të besuara 81.1 për qind), pasuar nga qeverisja vendore (9 për qind) dhe media dhe institucionet arsimore me 7 për qind secila. 

Sipas Indeksit Global të Lirisë së Medias nga organizata ndërkombëtare Reporterë pa kufij, në vitin 2022, Maqedonia e Veriut u rrit me 33 vende në krahasim me vitin paraardhës, duke u renditur në vend të 57-ë nga 180 vende. Në 2021, ajo u rendit në vend të 90-ë në të njëjtën listë. 

Asnjë gazetar nuk është vrarë. Gjithsesi, organizata vëren se: “Megjithëse gazetarët nuk punojnë në një mjedis armiqësor, keqinformimi është i gjithëpërhapur dhe mungesa e profesionalizmit kontribuon në rënien e besimit të shoqërisë te media, gjë që ekspozon mediat e pavarura ndaj kërcënimeve dhe sulmeve.”

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë, ZNM, vërejti në 2023 se kishte pasur katër sulme online apo fizike ndaj gazetarëve përkundrejt shtatë të tilla më 2022. 

  • Project by
    BIRN LOGO
  •  
    Global Media Registry
  •  
    Funded by European Union