Teknologjia

Kompanitë më të mëdha të teknologjisë janë kompanitë e telekomunikacionit Makedonski Telekom dhe A1 Macedonia. Të dyja janë tërësisht ose në mazhorancë në pronësi të huaj.

Makedonski Telekom është pasardhësi i ish-kompanisë shtetërore PTT Makedonija (postë, telegraf, telefon), e cila pas ndarjes në vitin 1996 u riemërtua Makedonski Telekomunikacii (Telekomunikacioni i Maqedonisë).

Në 2001, shumica e aksioneve u shit te kompania hungareze e telekomunikacionit, Matav, e cila sakaq ishte nën pronësinë e  Deutsche Telekom të Gjermanisë. Kjo kompani mbetet përfituesi final fundor i shumicës së paketës së aksioneve. Makedonski Telekom operon nën markën e mirënjohur T të Deutsche Telekom. Një e treta e aksioneve vijojnë të jenë nën pronësi  shtetërore, me anë të së cilave, qeveria e Maqedonisë ka të drejtë të emërojë anëtarë te Bordi i Drejtorëve. 

Posti i anëtarit të bordit shoqërohet me paga të larta. Për këtë shkak, këto pozicione janë nga më joshëset për partitë politike në koalicion qeverisës. Aktualisht, anëtarët e bordit menaxherial të Makedonski Telekom të emëruar nga qeveria janë: Igor Milev dhe Nina Angelovska, nga socialdemokratët, SDSM, dhe Sadula Duraki, Aqif Mehdiu, Bardul Nasufi dhe Shkodrane Darlishta, nga Bashkimi Demokratik për Integrim i shqiptarëve, BDI.

A1 Macedonia është tërësisht nën pronësinë e Telekom Austria. Ajo ka ndryshuar pronësi shumë herë, por gjithmonë ka qenë në duar të huaja. Duke filluar nga viti 2003, kompania u themelua nën markën Cosmofon nën pronësinë e Kosmote të Greqisë, duke u bërë operatori i dytë celular në vend. Kompania u ble nga 

Telekom Slovenija dhe u riemërtua ONE. Në vitin 2007, Telekom Austria hapi operatorin e vet celular në vend nën markën VIP. Në 2015 One dhe VIP u bashkuan duke krijuar A1 Macedonia. Shteti maqedonas nuk ka pasur kurrë aksione në këtë kompani apo në paraardhësit e saj. 

Të dhënat nga analiza e tregut të bërë nga Agjencia për Komunikimet Elektronike, AEK, zbulojnë dominimin e këtyre dy kompanive. Ato zotërojnë 93 për qind të tregut të linjave tokësore, 96 për qind të telefonisë së lëvizshme, 98 për qind të internetit të lëvizshëm, 74 për qind të linjave të internetit fiks dhe 65 për qind të shërbimeve të transmetimeve radiofonike dhe televizive. 

Nga më shumë se 80 kompani që ofrojnë një apo më shumë nga këto shërbime, sipas të dhënave të AEK, kompania Robi (më së shumti e njohur si Tele kabel) është një konkurrent serioz i dy kompanive të mëdha të telekomunikacionit, duke zënë 13 për qind të tregut të internetit fiks dhe 18 për qind të tregut me shërbime TV dhe radio. Të gjitha kompanitë e tjera kanë pjesë të papërfillshme të tregut. 

Kompanitë e telekomunikacionit janë të rregulluara nga AEK dhe operojnë nën ligjin për Komunikimet Elektronike. Nuk ka pasur mosmarrëveshje mes kompanive të telekomunikacionit dhe institucioneve shtetërore. Deri tani, nuk ka pasur raste të njohura të keqpërdorimit masiv të të dhënave të përdoruesve. Gjithsesi, roli i kompanive në skandalin e përgjimeve ilegale masive të bëra nga policia sekrete nga viti 2008 deri më 2015 nuk u hetua kurrë. Me fjalë të tjera, mbetet e paqartë nëse ata kishin informacion mbi apo morën pjesë në këto operacione sekrete. 

Puna e kompanive më të mëdha të teknologjisë së informacionit rrallëherë është temë e analizave kritike. Ato janë mes reklamuesve më të mëdhenj në tregun e medias kështu që raportimi mbi këto kompani shpesh është reduktuar në transmetimin e njoftimeve të tyre promocionale apo raportimin mbi aksionet e tyre filantropike apo mjedisore. 

Në 2019 dhe 2020 pati një konflikt mes operatorëve që ofrojnë shërbime TV dhe radiofonike, përfshirë kompanitë e telekomunikacionit dhe stacionet televizive që kanë koncesione kombëtare. Konflikti u shfaq për shkak të ndryshimeve në Ligjin për Shërbimet Mediatike Audio dhe Audiovizuale. Transmetuesit televizivë kërkuan që operatorët të detyroheshin ligjërisht të ritransmetonin programet e tyre dhe t’i paguanin një tarifë. Kjo ishte e papranueshme për operatorët. Në protestë, transmetuesit fikën sinjalin e kanaleve të tyre të brendshme për një orë çdo ditë. 

Ka 425,646 linja tokësore në vend, nga të cilat 373,357 janë për familje dhe 52,289 janë për biznese. Numri i abonentëve aktivë në telefoninë e lëvizshme është 1,941,352, gjë që do të thotë se mesatarisht ka më shumë se një operator celular për banor. Nga këta, 912,660 janë numra me kontratë private, 780,097 janë numra privatë me parapagesë dhe 248,595 janë numra biznesi me kontratë. Shërbimi i internetit në celular përdoret nga 1,416,911 abonentë, ose 73 për qind e qytetarëve që kanë telefon celular.

Të dhënat e AEK tregojnë se të ardhurat totale të tregut të komunikimit elektronik për vitin 2021 (të dhënat e fundit të disponueshme) ishin 17,920,596,000 denarë, ose $329,422,720.

Nëse të ardhurat totale të dy kompanive më të mëdha të telekomunikacionit për atë vit bashkohen me llogaritë vjetore të deklaruara, një shifër më e lartë arrihet: 19,895,868,311 denarë ose $365,732,873. (Makedonski Telekom AD kishte të ardhura prej 11,308,027,961 denarësh/$207,868,161, ndërsa A1 Macedonia kishte të ardhura prej 8,587,840,350 denarësh/$157,864,712.) 

Arsyeja për këtë ndryshim është se operatorët kryejnë shërbime të tjera, të tilla si shitja e pajisjeve (telefona, televizorë, kompjuterë), zakonisht si pjesë e paketave për përdoruesit. Nuk ka të dhëna të disponueshme publikisht se sa prej këtyre të ardhurave janë nga shërbimet e telekomunikacionit dhe sa nga shërbimet e tjera, gjë që e bën të pamundur të llogarisësh pjesët totale të tregut të tyre. 

Fitimi i ishte për Makedonski Telekom AD 1,721,980,399 denarë/$31,654,051, dhe 881,074,489 denarë/$16,196,222 për A1 Macedonia.

Analiza e bërë nga Kepios tregon se 1.2 milionë njerëz në Maqedoninë e Veriut përdorin rrjetet shoqërore. Facebook ka numrin më të lartë të përdoruesve – 914,000 - pasuar nga produkti i Meta, Instagram, me 711,000. LinkedIn kishte 320,000 anëtarë në vend dhe Twitter kishte 131,000.

  • Project by
    BIRN LOGO
  •  
    Global Media Registry
  •  
    Funded by European Union