Media
Sipas të dhënave nga rregullatori shtetëror i medias, Agjencia për Shërbimet Mediatike Audio dhe Audiovizuale (AVMU) në shtator 2023, në një vend me pak më shumë se 1.8 milionë banorë, kishte 43 televizione, 64 radio dhe 23 gazeta dhe revista.
Numri i faqeve informative të internetit nuk mund të përcaktohet saktë për shkak se ato as nuk janë të rregulluara ligjërisht dhe as nuk mbahen në një regjistër të veçantë. Disa vlerësime mund të sigurohen nga numri i faqeve që regjistrohen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve para zgjedhjeve në mënyrë që të publikojnë reklama nga partitë politike. Për zgjedhjet vendore të vitit 2021, 191 media online u regjistruan për reklama zgjedhore. Për këto zgjedhje, shteti pagoi 5.1 milionë euro për transmetimin e reklamave partiake në të gjithë median.
Më shumë se një duzinë stacionesh televizive mund të ndiqen në të gjithë territorin e vendit. Ata janë shërbime kombëtare të MRT-së dhe pesë stacioneve televizive më të mëdha, të cilat transmetojnë në nivel kombëtar përmes operatorit multiplex digjital tokësor, si dhe katër stacione televizive private më të vogla, të cilat transmetojnë në nivel kombëtar përmes sistemit kabllor. Po kështu janë edhe dy kanale që transmetojnë përmes satelitit.
Shërbimi publik ka pesë kanale, dy shërbime programacioni satelitor si dhe një kanal për parlamentin, ku transmetohen në kohë reale seancat parlamentare. Një nga shërbimet është në gjuhën shqipe, ndërsa një shërbim tjetër transmeton përmbajtje në gjuhët e komuniteteve më të vogla etnike, të tilla si turqisht, serbisht, vllahisht, boshnjake dhe romisht. Brenda kuadrit të shërbimit publik, ka edhe tri shërbime radiofonike, dy që transmetojnë në maqedonisht dhe një që transmeton në gjuhët e komuniteteve të tjera etnike në vend.
Sipas të dhënave të fundit të AVMU nga viti 2023, 86 për qind e shikuesve kanë ndjekur televizionin përmes abonimeve në një nga dy operatorët më të mëdhenj të telekomunikacionit si dhe përmes operatorëve kabllorë, ndërsa pjesa tjetër ndjek TV përmes antenave të zakonshme ose përmes satelitit. Në Maqedoninë e Veriut ka një total prej 32 operatorësh që ritransmetojnë programet televizive përmes linjave kabllore, IPTV ose sistemit DVB-S.
Në Maqedoninë e Veriut ka një agjenci lajmesh. Agjencia për Media dhe Informim (MIA), e cila është nën pronësi shtetërore dhe publikon lajme në maqedonisht, shqip dhe anglisht.
Ka gjashtë gazeta të përditshme, pesë të përjavshme dhe 12 revista që dalin në periodicitet dyjavor ose më të gjatë. Dy nga të përditshmet publikohen në shqip, ndërsa pjesa tjetër janë në maqedonisht. “Sloboden Pecat” është gazeta me qarkullimin më të lartë, zakonisht mes 5 mijë dhe 7 mijë kopje. Në varësi të qarkullimit më të lartë, kjo media ka marrë gjithashtu edhe shumicën e subvencionimeve shtetërore të synuara për shtypjen apo shpërndarjen e gazetave – 690 mijë euro.
Që nga viti 2018, kur mbështetja shtetërore për gazetat u miratua, qeveria ka paguar në total 2.7 milionë euro në subvencionime.
Anketimi i fundit nga Instituti Republikan Ndërkombëtar (IRI) nga viti 2023 tregoi se gjysma e të anketuarve nuk besojnë përmbajtje të caktuara mediatike, ose nuk e besojnë fare atë. Mbi 40 për qind e të anketuarve besojnë median në një farë mase, ndërsa vetëm shtatë për qind e qytetarëve kanë besim të plotë te media.
Sipas anketimit, i cili i lejoi të anketuarit të zgjedhin më shumë se një përgjigje, shumica e qytetarëve ende marrin lajmet politike nga televizionet, 73 për qind, duke shënuar pothuajse dhjetë pikë më pak se sa dy vjet më parë, kur 82 për qind thanë se ishin të informuar tërësisht nga televizioni. Media online ishte në vend të dytë të vrojtimit me 38 për qind, ndërsa shtypi dhe radio janë respektivisht pesë dhe tre për qind.