Televizioni

Stacionet televizive vijojnë të jenë burimi kryesor i informacionit të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut. Sipas vrojtimit publik të Institutit Republikan Ndërkombëtar të kryer në maj 2023, kur pyeten se cilin burim qytetarët përdorin më shumë për lajmet politike, 73 për qind e të anketuarve thonë se ata e marrin këtë informacion nga televizioni, ndërsa 38 për qind kanë shënuar median online. 

Televizioni i parë i themeluar në vend është shtetërori “Televizioni i Maqedonisë” (MRT), i cili filloi transmetimet në vitin 1964, fillimisht nën emrin "Television Skopje". 

Dy vjet pasi vendi shpalli pavarësinë nga ish-Jugosllavia, në vitin 1993, u shfaq televizioni i parë privat, "A1". 

"A1" ishte televizioni më i ndjekur për shumë vite, derisa ndaloi transmetimet në 2011 pasi pronari dhe kompania u ndoqën penalisht për pastrim parash dhe evazion fiskal. Mbyllja e stacionit televiziv u perceptua si hakmarrje nga kryeministri i asaj kohe Nikola Gruevski për shkak se A1 kishte qëndrim kritik ndaj qeverisë së tij. 

Sot ka një total prej 43 stacionesh televizive që transmetojnë programe, pesë nga të cilat kanë licenca kombëtare ndërsa dy transmetojnë përmes satelitit dhe katër përmes sistemit kabllor. Pjesa tjetër janë televizione rajonale apo lokale. 

Lloji kryesor i programeve në shumicën e stacioneve televizive maqedonase janë spektakle informative, debate, spektakle me telefonata dhe emisione dëfryese, krahas telenovelave, shpesh të prodhuara në Turqi apo në Serbi. 

Databaza e Monitorit të Pronësisë së Medias në Maqedoninë e Veriut përmban të dhëna nga njëmbëdhjetë stacione televizive. Nuk ka të dhëna të disponueshme publikisht mbi audiencën për televizionet dhe as nuk ka një kompani që të kryejë matje të tilla. Të dhënat disponohen vetëm në lidhje me shikueshmërinë e pesë stacioneve televizive private. Për shkak të këtyre rrethanave, përzgjedhja e televizioneve për këtë projekt u mbështet te të dhënat e Agjencisë së Shërbimeve Mediatike Audio dhe Audiovizuale të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Në raportin e saj: “Të dhëna mbi ndjekjen e stacioneve radiofonike dhe mbi ndarjen e shikueshmërisë totale të stacioneve televizive më 2022”, i cili u publikua nga Agjencia, televizionet më të ndjekura ishin stacionet private televizive "Sitel", "Kanal 5", "Alsat M", "Telma", "Alfa", si dhe dy stacionet e para të transmetuesit publik "MRT 1" dhe "MRT 2". Ato u ndoqën nga "Television 21" dhe "Television 24", "Shenja" dhe "Klan Makedonija".

  • Project by
    BIRN LOGO
  •  
    Global Media Registry
  •  
    Funded by European Union