Pronarët individualë
Pronarët e mediave më me ndikim në Maqedoninë e Veriut janë shpesh individë, për të cilët, biznesi i medias është sipërmarrje dytësore. Disa janë shtetas të huaj, ndërsa shumica e tyre janë burra. Nga të 34 mediat e analizuara nga Monitori i Pronësisë së Medias në Maqedoninë e Veriut, vetëm nëntë janë në pronësi të grave, shumica në sektorin e medias online. Dy stacione televizive janë biznese familjare: "Alsat M", në pronësinë e familjes Velija, dhe "Klan Television", në pronësinë e çiftit Aleksandër Frangaj dhe Alba Gina, që të dy shtetas shqiptarë që kanë gjithashtu media në pronësi në vendin e tyre.
Tri stacione të tjera televizive kanë pronarë të huaj. Peter Schatz, një shtetas hungarez, ka në pronësi "Alfa" TV; Jürgen Meixner nga Austria është pronar i "Television 24", Afërdita Kelmendi nga Kosova është pronare maxhoritare e "TV 21". Avokati serb Vladimir Galjak ka paketën më të madhe të pronësisë në gazetën "Sloboden Pecat", ndërsa mediat online "Republika.mk" dhe "Kurir.mk" janë në pronësinë e Agnes Adamik, një shtetase hungareze.
Bizneset kryesore të pronarëve të mediave më me ndikim variojnë nga nafta te ndërtimi, te bujqësia dhe te mjekësia. Shpesh, këta pronarë përdorin median e tyre për të ndikuar politikat që prekin bizneset e tyre.
Në veçanti, Goran Ivanovski, pronari i TV "Sitel", njihet në përfshirjen në miniera, transport dhe ndërtim. Në anën tjetë, Minco Jordanov, i cili ka në pronësi gazetën "Nova Makedonija" ndërsa ka një numër biznesesh të lidhura me të ose familjen e tij, ka interesa që variojnë nga pronësia në një spital privat te sipërmarrjet në fushën e bujqësisë. Në fund, Andreja Josifovski, pronar i TV "Telma", njihet më shumë për bizneset në sektorin e naftës.